Origjinali: “Patents add fuel to the fire of genius.” – Abraham Lincoln
Ky mars shënoi 10 vjetorin e zhdukjes së avionit MH370 mbi Detin e Kinës Jugore, në fluturim nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, i cili nuk u gjend kurrë. Ngjarja i përket 8 marsit 2014 dhe është ndër misteret më të mëdha të botës moderne. Çfarë e motivoi zhdukjen e avionit me 239 pasagjerë dhe kush e orkestroi? Kush e ekzekutoi planin, duke shkëputur të gjitha lidhjet elektronike që avioni të mos shfaqej më në asnjë radar apo program gjurmimi? Kujt i sillte dobi kjo tragjedi shumëpalëshe?
Kërkimet, të cilat ende vijojnë, janë ndërmarrë si prej të afërmve të pasagjerëve të humbur (prej kohësh tashmë prezumuar të vdekur), prej individëve që me nismën e tyre kanë kuriozuar mbi fatin e avionit ose kanë dashur të hedhin dritë mbi ngjarjen në ndihmë të të prekurve apo në emër të së vërtetës, e po ashtu prej qeverive të shteteve të ndryshme. Teoritë mbi çfarë solli zhdukjen e avionit kanë ndryshuar shumë herë dhe ndër to, kanë dalë në dritë edhe konspiracione. Disa syresh e lidhin zhdukjen e avionit me interesa mbi një patentë, që i faturohen qeverisë amerikane, qeverisë kineze, asaj iraniane apo Jacob Rothschild-it.
Konspiratorët janë të lëkundshëm në detaje, por jo në përfundimin e përhershëm se duart që kontrollojnë fatin e planetit fshihen pas shumë ngjarjeve, në dukje të thjeshta për symbyllurit.
Për të kuptuar objektin e konspiracionit në fjalë duhet të flasim fillimisht për kompaninë amerikane Freescale Semiconductor, 20 punonjës të së cilës ndodheshin në fluturimin MH370, 12 nga Malajzia dhe 8 nga Kina. Kjo kompani zhvillon mikroprocesorë, sensorë dhe teknologji të tjera prej rreth 50 vitesh para ngjarjes. Gjysmë-përçuesit janë mikroçipa të fuqishëm që përdoren në pajisje të ndryshme, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes. Sipas konspiratorëve, patenta #8671381 u aprovua pak ditë pas zhdukjes së MH370 dhe të drejtat mbi të u ndanë më pesë – 20% për Freescale Semiconductor dhe nga 20% për 4 punonjës kinezë të saj që ndodheshin në avion.
Sipas teorisë, këta punonjës, përveçse mbajtës të patentës, ishin në dijeni të sekreteve të shumta mbi gjysmëpërçuesit, të cilat qeveria amerikane druhej se do të kalonin në duar të Kinës. Për këtë arsye, teoria thotë se qeveria amerikane qëndron pas rrëmbimit të avionit dhe dërgimit të tij në bazën amerikane në Diego Garcia, për të mos lejuar mbërritjen e personelit në destinacionin final – Pekin.
Një variacion i teorisë propozonte se në fakt ishin kinezët që e zhukën avionin, në mënyrë që të njiheshin me mjetet më të fundit të survejimit nga SHBA dhe akoma më tej imagjinata implikonte Iranin, i cili dërgoi pasagjerë nën identitete të rreme për të shtënë në duar të njëjtin informacion.
Versioni i tretë, merrte parasysh parashikimin se nëse një mbajtës patente humbet jetën, të drejtat i kalojnë si dividend mbajtësve pasjetues. Në këtë rast, nëse 4 prej tyre humbnin jetën, mbajtësi i vetëm do të mbetej Freescale Semiconductor, e cila – konspiracioni në lulëzim të plotë – zotërohet nga Jacob Rothschild, përmes një kompanie tjetër guackë të quajtur Blackstone.
Këto teori kanë shumë pasaktësi të verifikueshme. Si fillim, patenta në fjalë konsistonte në “sistem për optimizimin e numrit të makinerive të prodhuara në një naforë”, përmirësim i një procesi prodhimi që pak gjasa vlen sa jeta e 235 të pafajshmëve. Së dyti, si punëdhënës i tyre, patenta do t’i përkiste Freescale Semiconductor siç ndodh tipikisht në këto raste, ku inxhinierët i delegojnë punëdhënësit të drejtat e shpikjes. Dhe së treti, nuk ekziston asnjë rregull që e delegon patentën tek mbajtësit e tjerë në rast se njëri syresh humb jetën (sigurisht, nëse kjo nuk është rregulluar me marrëveshje mes tyre), por tek trashëgimtarët e tij.
Së fundmi, Jacob Rothschild nuk qëndron direkt pas Freescale Semiconductor, e cila zotërohet nga 152 aksionerë të ndryshëm, ndër të cilët edhe Blackstone Group, ku Jacob Rothschild është anëtar bordi këshillues. 20 punonjësit e kompanisë ishin staf teknik, që udhëtonin drejt Kinës për të ndihmuar me rritjen e efikasitetit të pikave të kompanisë atje dhe në Malajzi, jo mbajtës të patentës #8671381, natyra e së cilës nuk ishte aspak ushtarake.
Bibliografi & referenca:
“Inside MH370’s Semiconductor theory which links the US government to the missing plane”, Lydia Spencer-Elliott < https://thetab.com/uk/2024/03/06/mh370-semi-conductor-theory-356472 >
Malaysia Air 370 Patent Conspiracy, David Mikkelson, 2014 < https://www.snopes.com/fact-check/mh370-patent-disappearance/ >
Malaysia Airlines MH370: The persistence of conspiracy theories, Tom de Castella, 2014 < https://www.bbc.com/news/magazine-29083905 >