“Shpresoj ta përdorim rrjetin për të tejkaluar pengesat dhe për të lidhur kulturat” thoshte Tim Berners-Lee, themelues i World Wide Web.
CEO i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u paraqit në 23 mars përballë Kongresit të SHBA për të adresuar shqetësimet e tyre mbi keqadministrimin e të dhënave të përdoruesve amerikanë të aplikacionit. Përgjatë 5 orëve, anëtarët e Kongresit i drejtuan Chew-së pyetje të denja për meme.
Shpjegimet teknike dhe kalimi tek SHBA-të i kontrollit mbi të dhënat e përdoruesve të tyre në platformë nuk ishin bindëse për ligjvënësit amerikanë. Ata janë tepër të shqetësuar edhe për probleme të tjera që burojnë ekskluzivisht nga TikTok-u, si dëmtimi i shëndetit mendor të fëmijëve, shpërndarja e ndikimit kinez përmes tij dhe lidhja e aplikacionit me internetin e shtëpisë. Në këto kushte, gjenden të vendosur në synimin për ta ndaluar aplikacionin me 150 milionë përdorues amerikanë me argumentin se rrezikon sigurinë kombëtare. Seancën e Z. Chew mund ta ndiqni të plotë në YouTube, ose të fragmentuar në media sociale dhe të formoni opinionin tuaj, ndërsa ky artikull do të trajtojë një nga rrjedhojat e kësaj përballjeje, çka tejkalon ndalimin e TikTok-ut në SHBA.
Rreth 2 javë më herët, më 7 mars 2023, Senatorët Warner dhe Thune paraqitën para Senatit projektligjin S.686 – RESTRICT Act, i cili shkaktoi reagime të shumta, për shkak të natyrës së përshkruar që në titull si “kufizuese”. Projektligji synon “të identifikojë dhe zbusi kërcënimet e huaja ndaj informacionit dhe produkteve e shërbimeve të TIK, të cilat kanë mbi 1 milionë përdorues amerikanë”. Objekt i projektligjit janë pajisjet harduer edhe softuer, të prodhuara ose zotëruara nga kundërshtarët [1], ose ato që ndërlidhen me to. Kështu, kufizohen transaksionet me produktet dhe shërbimet e TIK, të cilat përbëjnë interes për kundërshtarët dhe rrezik për SHBA, por skeptikët mendojnë se kufizimin më së shumti do ta vuajnë shtetasit amerikanë.
Akti i jep Presidentit tagrin që të zgjedhë një sekretar, i cili nga ana e tij ngre një bord këshilltarësh, të cilët në mënyrë diskrete përcaktojnë çfarë përdoruesit mund të aksesojnë ose jo në internet. Në përmbushje të parashikimeve të këtij akti, qeveria ka të drejtë të monitorojë veprimtarinë e platformave ose harduerëve që lidhen me internetin, pa pasur nevojë të njoftojë përdoruesit. Rrjedhimisht, grupi i posaçëm do të kishte në dorë të gjitha mjetet për të ndaluar aksesin në çdo ndërlidhje online që konsiderohet si “transaksion me rrezik ndaj sigurisë kombëtare”, por gjuha e përdorur në akt nuk parashikon një standard të qartë mbi çfarë përbën rrezik të tillë [2]. Shkelja e parashikimeve, si dhe përdorimi i VPN për ti shpëtuar atyre, do t’u kushtonte qytetarëve (në varësi të formës së përgjegjësisë) deri në 1 milionë USD gjobë ose deri në 20 vite burgim, ndërsa mundësitë për ankimim nuk parashikohen në projektligj.
Në përmbyllje, skeptikët ndaj projektligjit ngrenë shqetësime mbi anatemimin e teknologjisë së huaj nga qeveria amerikane, duke dëmtuar kompanitë vendase që mbështeten në manifakturën e tyre (si Apple nga Kina), e gjithashtu cenojnë lirinë e aksesit në internet, të drejtën e privacisë dhe konkurrencën e drejtë.
Teksa ndiqja opinionet mbi projektligjin dhe hasa komente të tipit “do sjelli fundin e internetit siç e njohim”, pata një deja-vu me një ngjarje të mbi 10 viteve para. Ndoshta ka mes lexuesve nga ata që ndihen familjarë me termat SOPA/PIPA, dy projektligje që në 2011ën shkaktuan revoltë në SHBA dhe shumë meme të mira në 9gag.
Protesta anti SOPA/PIPA, 2011
SOPA ose Stop Online Piracy Act (Akti për Ndalimin e Piraterisë Online) u prezantua në tetor 2011 në House of Representatives si një akt që penalizonte piraterinë në internet ndërsa PIPA, ose Protect Intellectual Property Act (Akti i Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale) ishte ekuivalenti i SOPA-s i prezantuar në Senat. Kundërshtia lidhej me mënyrën e zbatimit të parashikimeve, që i kthente aktet në mjete për të censuruar internetin.
Çdo faqe që akuzohej për mundësimin ose lehtësimin e piraterisë mund të përballej me gjyq dhe rrjedhimisht të mbyllej. Ndërsa kushdo që bënte stream të përmbajtjes së mbrojtur mbi 10 herë, përballej me deri në 5 vite burg për përgjegjësi indirekte në shkelje (contributory infringment). Ofruesit e shërbimeve do duhej të bllokonin DNS-të për të shmangur aksesin e përdoruesve në faqet e ndaluara. Madje, nëse ata thjesht dyshonin se një faqe përmbante material në shkelje të së drejtës së autorit, mund ta bllokonin menjëherë ose të ndërprisnin lidhjen për përdoruesit. Praktikisht, këto faqe do të zhdukeshin nga interneti, çka linte hapësirë për të bllokuar konkurrentët dhe nuk mbante parasysh të drejtat e zotëruesve të faqeve.
Për të kuptuar efektin potencial të parashikimeve, duhet mbajtur parasysh sa lehtë gjendet shkelja e të drejtave të autorit. Aq lehtë sa shpërndarja e një fotoje në Instagramin tënd mund të perceptohej si shkelje, argument koherent këtu, pasi SOPA/PIPA adresonin kryesisht përmbajtjen e gjeneruar nga përdoruesit. Po ashtu barra e provës dhe kostot e gjyqit (edhe në rastet e njoftimeve false), në çdo rast, do të binin mbi përdoruesit. Ngjashëm me S-686, projektligjet targetonin faqet e huaja, pasi brenda SHBA-ve vepronte DMCA, por jashtë vendit forma më efikase mbetet bllokimi i aksesit. Gjuha e ligjit ishte aq e gjerë sa krijonte vështirësi për të përcaktuar përgjegjësitë në shkeljen e të drejtës së autorit, lehtësimin e shkeljes apo përgjegjësisë indirekte.
Wikipedia gjatë Blackout-it
Miliona protestues zhvilluan demonstrata kundër projektligjeve, ku figura mbizotëruese ishte i ndjeri Aaron Swartz. Ngjashëm me sot, protestuesit u shprehën përfaqësuesve të tyre në Kongres kundërshtimet ndaj projektligjit, të mbështetur nga kompanitë e mëdha teknologjike dhe organizmat pro eksesit të hapur. Në 18 janar 2011, protestës iu bashkuan mbi 100,000 webfaqe dhe atë ditë interneti (literalisht) u nxi. Të dy aktet u tërhoqën në vijim të protestave.
Ngjashëm me sot, edhe 12 vjet më parë, në themel të revoltës shoqërore qëndronte moskuptimi i arkitekturës së internetit nga Kongresi.
[1] Kundërshtarët e SHBA, sipas aktit, janë Kina, Koreja e Veriut, Rusia, Irani, Kuba dhe Venezuela, por mund të ndryshojnë në diskrecion të Departamentit të Shtetit dhe Kongresit.
[2] Kufizimet nuk aplikohen ndaj kompanive me pronësi amerikane, por do të ndikonin punën e atyre që hyjnë në marrëdhënie tregtare me kundërshtarët.
Shkrimi përmban të dhëna nga materialet e lidhura si hyperlink me fjalët në tekst.
© 2023 1624. Të gjitha të drejtat e rezervuara